Arritjet e vitit 'Milingona e Artë' 2012
- Saturday, 02 February 2013
Çmimet Milingona e Artë, synojnë që të evidentojnë arritjet më të mëdha të individëve, organizatave ose institucioneve gjatë një viti. Votimi është i hapur dy javët në vijim.
Për të gjithë të nominuarit në kategori të ndryshme mund të votoni këtu.
Çmimet kanë si synim të vënë në dukje punën e madhe që bëhet në ngritjen dhe çuarjen e shoqërisë përpara në fusha të rëndësishme për shoqërinë. Për dallim nga çmime të tjera, Milingona e Artë do të vlerësojë ata që me aktivitetet, veprat apo punën e tyre kanë pasur ndikim në shoqëri.
Çmimet në kategori të ndryshme do ndahen për veprat apo arritjet që kanë pasur ndikimin më të madh tek njerëzit, apo që kanë sjellë diçka të re ose kanë bërë që shoqëria të ndihet e lartësuar.
Në një kohë kur konstatohet se ka një çoroditje të vlerave, kur nuk ka rrëfyes sidomos për brezin e ri, se kush duhet të jenë model, nga ku duhet të mbindërtohen arritjet tona të mëparshme, çmimet vjetore Milingona e Artë do të përpiqen që luajnë edhe këtë rol.
Mbi të gjitha Milingona e Artë do të duhet të risjellë debatet në esencën e saj, tek krijuesit, sportistët, letrarët, shkencëtarët, artistët... të cilët janë reflektimi i destiluar i realitetit tonë, një pasqyre shoqërore, pa të cilët shoqëria do të mbeste pa shpirtin e saj.
Milingona e Artë sygjeron se ka ardhur koha e mençurisë dhe punës dhe këto dhe do të vlerësohen.
Çmimet për vitin 2012 përfshinë 10 kategori:
Arritja e vitit në sport
Arritja e vitit në artet e performuara
Arritja e vitit në muzikë
Arritja e vitit në botime shkencore dhe letërsi
Arritja e vitit në Artet Vizuale
Talenti i vitit
Ndikimi në afirmimin e kulturës
Arritja e vitit në media
Poashtu juria do të ndajë edhe dy çmime të tjera speciale:
Arritja e karrierës
Arritja Promotor i vlerave shqiptare
Për të gjitha kategoritë do të ketë të nominuar, sipas një përzgjedhjeje të bërë nga ekspertë të fushave përkatëse dhe organizatori. Fituesit do të përcaktohen pas një votimi të publikut dhe jurisë të ngritur enkas për çmimet vjetore Milingona e Artë.
Në një ceremoni të veçantë, do të dorëzohen çmimet sipas kategorive.
Arritja e vitit në sport
Nuri Seferi (boks)- mbrojti titullin WBO të Evropës me 7 Tetor në Shkup. La në dysheme pas vetëm pak sekondave boksierin serb, Nenad Stankovic. ‘Tajsoni Shqiptar’ është në mesin e pesë më të mirëve në boksin botëror, qëllimi tij është që në vitin 2013 të luftojë për titullin kampion bote.

Agim Ibraimi (futboll)- Futbollist më mirë i Maqedonisë për vitin 2012 dhe futbollisti më mirë që luan jashtë vendit. Futbollist i cili me klubin e tij nga sllovenia NK Maribor, u shpall sivjet kampion i Sllovenisë. Ai luajti me sukses në ligën Evropa, si dhe me sukses u paraqit në fanellën e re reprezentacionit të Maqedonisë.
Dardan Dehari (skijim)- I treti në Garën ndërkombëtare “Kupa e Sharrit 2012”, skiatori i vetëm shqiptar nga Maqedonia që ngjitet në podium në 39 vite garash në Kupën e Sharrit, fitues i garës mbarëkombëtare “Kupa e Flamurit” në Kodrën e Diellit dhe fitues i përgjithshëm në garën ndërkombëtare “Stara Planina” të Serbisë.
Klubi Volejbollistik Shkëndija (volejboll)- Arriti në finale të Kupës së Maqedonisë që u mbajt në muajin maj të vitit 2012. Përveç kësaj, edhe në kampionat arritën vendin e dytë, me dy medalje të argjenta.
Valbona Selimi (atletikë) -Juniorja e vitit në atletikë sipas Federatës së Atletikës të Maqedonisë. Valbona është anëtare e KA Liria të Sarajit. Në 100m (12.73) pjesëmarrëse në kampionatin botëror për junior në Barcelonë. Është fituese në 100 metra në mitingun ndërkombëtar Pjetro Mena që u mbajt në Tiranë. Valbona aktualisht është garuesja më mirë në Maqedoni në kategorinë e saj.
Arritja e vitit në artet e performuara
Xhevdet Jashari – Suksesi i tij për vitin 2012 i përket si filmit ashtu edhe teatrit.“Agon”- film i Robert Budina (2012),film me tematikën e emigrimit në Greqi, sjell shumë dhimbje, dhe u komentua për guximin e regjisorit dhe ndërgjegjësimin e popullatës. Ai po ashtu luan në produksionet turke, në seriale të ndryshme. Përsa i përket teatrit,do ta veçojmë shfaqjen e mirënjohur “Opera e Lypsarëve” si dhe te shfaqja “Paraja“.Gjithashtu, Xhevdeti është pjesë e krijimtarisë filmike të prodhuar në Maqedoni. Ai është i njohur për rolet e tij në “Per Gynt”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Koha e Kometës”- film i cili ka marrë më shumë se 20 çmime në festivale anembanë botës.
Dëshira Ahmeti Kërliu- Sopranoja e vetme shqiptare nga Maqedonia që morri pjesë në Opera “Skënderbeu”- shfaqja më mbresëlënëse e shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, vitin e kaluar. Roli i saj në këtë opera ishte një nga rolet kryesore, Donika. Ky rol shënon një kulminacion në karrierën e saj me një nga veprat shqiptare. Është shqiptarja e parë që punon në Teatrin e Operas dhe Baletit të Maqedonisë si soliste e roleve kryesor. Dëshira ka performuar në shumë koncerte në Munih, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ravena (Itali) dhe Dubrovnik.
Visar Vishka- Arritja e tij për vitin 2012 është roli kryesor në filmin slloven "Shangai Gypsy", film i cili kishte premierë botërore në ''Montreal World Film Festival 2012'', ku edhe u shpërblye me çmimin “Skenari më i mirë“. Gjithashtu, Visari është i njohur edhe për rolin e tij në filmin “Balkan Bazar” në vitin 2011 si dhe në shumë filma dhe shfaqje teatrore. Ai punon në Teatrin Popullor të Maqedonisë.
Luran Ahmeti- Një sukses i madh për të në vitin 2012: ka luajtur në filmin e famshëm holivudian, “Taken 2” me Liam Neeson. Është zgjedhur aktori më i mirë në festivalin mbarëshqiptar të komedisë në Preshevë dhe është vazhdimisht i angazhuar në produksionet turke, seriale dhe filma artistik. Karierën e tij Lurani e ka zhvilluar si aktor në Teatrin Shqiptar në Shkup.
Duo Skupi (Ermal Mehmeti & Jeta Starova)- Violinisti Ermal Mehmeti dhe flautistja Jeta Starova gjatë vitit 2012 kanë zhvilluar një sërë koncertesh si në Maqedoni ashtu edhe jashtë saj.
Nominohen për albumin e tyre të parë ekskluzivisht nga këngë dhe tema të vjetra shqiptare. Stili që ata performojnë quhet muzikë botërore, diçka e veçantë dhe e rrallë në trojet tona.
Ndikimi në afirmimin e kulturës
QIK- Nominohet për krijimin e hapësirës, si asnjëherë më parë, për promovimin e artistëve shqiptarë të të gjitha fushave. Gjatë vitit 2012 në këtë qendër janë zhvilluar promovime librash, koncerte, ekspozita, orë letrare ku kjo qendër mundësoi promovimin e kulturës dhe krijimtarisë shqiptare në mënyrë institucionale.
Libraria e Çarshisë – Ndonëse një sipërmarrje private ka mundësuar përfshirjen e shqiptarëve në debatin mbarëshqiptar duke sjellë në Shkup dhe më gjerë botimet e fundit nga Shqipëria dhe Kosova. Hapësirat e kësaj librarie janë vënë në shërbim të promovimit të kulturës dhe artit shqiptar pa reshtur. Gjithashtu, Libraria e Çarshisë nëpërmjet konkursit për zgjedhjen e logos për 100 vjetorit, nxiti talentet e reja të kultivojnë art modern me motive shqiptare.
Teatri Shqiptar Shkup- Nominohet për arritjen cilësore të shfaqjeve në vitin 2012, një rikthim në traditën e këtij teatri për shfaqje origjinale dhe avangardiste. Gjithashtu, dy shfaqjet e suksesshme që kontribuuan në rritjen e numrit të spektatorëve veçohen “Opera e Lypsarëve” dhe “Paraja”. Përveç kësaj, si iniciativë e Teatrit Shqiptar Shkup, u organizuan “Ditët T”- festival i cili solli në Shkup disa prej shfaqjeve më të mira mbarëshqiptare.
Teatri i Tetovës- Nominohet për promovimin dhe nxitjes të artit teatror në qytetin me dy universitete. Disa prej projekteve të këtij teatri janë vlerësuar lartë si nga publiku ashtu edhe nga kritika. Shfaqja Akuariumi morri pjesë në festivalin e teatrove në Sarajevë, si dhe shfaqja "Me grusht tehut të thikës" fitoi çmimin e medias në Festivalin Ndërkombëtar të Podujevës.
OJQ LOJA – Tetovë- Nominohet për organizimin e një varg aktivitetesh kulturore të fushave të ndryshme, si festivale filmash, ekspozita me autorë ndërkombëtar dhe koncerte të ndryshme. Veprimtaria e LOJËS bën një ndryshim cilësor në ofertën kulturore jo vetëm të Tetovës por edhe më gjerë.
Arritja e vitit në media
Emisioni “200” – Një risi në formatet televizive, program i vlerësuar si për përmbajtjen ashtu edhe për realizimin teknik, i cili arriti të sjellë para publikut emra të shquar shqiptar dhe ndërkombëtar të cilët kontribuuan në misionin e programit për t’i bërë një prerje arritjeve të shoqërisë shqiptare në shumë fusha në prag të 100 vjetorit të pavarësisë.
“Rruga drejt...” – Program i cili prej disa vjetësh kontribuon në nxitjen e debatit politik në vend duke qenë një nga platformat kryesore të shpalosjes dhe përplasjes së ideve. Duke marrë parasysh situatën e medieve në vitin 2012, ky emision i shërbente debatit të munguar politik jo vetëm shqiptar, por edhe përtej. Emisioni, ndër të paktët solli emra të njohur politikanësh dhe ekspertësh për të diskutuar çështjet më të rëndësishme në vend.
“A e dini se?”- Nominohet për kreativitetin dhe formën interesante televizive të prezantimit të individëve dhe çështjeve sociale. Një format origjinal i cili bartet nëpërmjet prezantuesit karizmatik Dritëro Ame. I gjithë ekipi vihet në shërbim për të sjellë personazhe dhe fenomene interesante nga të gjitha fushat, nga ato të zakonshmet deri te ekspertë.
Seriali "N'han te na" MTV 2- Seriali i vetëm humoristik shqiptar i cili prodhohet në Maqedoni. Nominohet për faktin se tenton të nxisë në kulturë humori dhe satire të munguar në prodhimet televizive. Seriali vjen çdo javë duke tentuar të trajtojë temat e aktualitetit në formë kritike nëpërmjet humorit.
MTV 2- transmetime satelitore- Televizioni publik i Maqedonisë për herë të parë i adresohet një publiku më të gjerë shqiptar nëpërmjet të transmetimeve satelitore 24 orësh. Transmetimet satelitore të kanalit të dytë të MTV, nga viti 2012 përfshihen në ofertën mbarëshqiptare televizive me produktet dhe informacionet të këtij mediumi.
Radio Red – Në vargun e medieve të reja të shfaqura në Maqedoni, një nga më origjinalet dhe më alternativet është Radio Red. Nominohet për promovimin e një kulture underground, një miks i muzikës dhe programeve tejet të zgjedhura dhe jokomerciale. E veçanta është se Radio Red është radio interneti, ku nëpërmjet faqes së saj nxitet edhe kultura e artit konterporan.
Radio Shkupi- Një nga mediat më të vjetra mbarëshqiptare, promovues dhe arkivues i vlerave të përgjithshme shqiptare. Nominohet për çmimin “Syri i Shqiponjës” i ndarë Instituti imazh dhe media në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, në një konkurrencë të fortë mes medieve shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Arritja e vitit në muzikë
Adrian Gaxha &Floriani- Nominohen falë suksesit të këngës së tyre “Ngjyra e kuqe”. Kënga “Ngjyra e kuqe” e interpretuar në festivalin e fundit Kënga Magjike morri çmimin e internetit, çmim të cilin e meritoi pasi videoja për këngën “Ngjyra e kuqe” vetëm në javët e para të publikimit, u bë videoja më e klikuar shqiptare në kanalin YouTube.
Tuna- Këngëtarja shkupjane Tuna është nominuar si rezultat i sukseseve të saja në sferën e muzikës gjatë vitit të kaluar. Para 7 muajve ajo lansoi videolkipin për këngën “I Asaj” i cili videoklip tani ka mbi 6 milionë klikime në YouTube. Gjatë vitit 2012 Tuna falë këngës “I Asaj” arriti të fitojë tre çmimet kryesore në “Zhurma show”- “Best video”, “Çmimi special i internetit”, si dhe “Best R&B”. Aktualisht Tuna është pjesë e jurisë në garën më të madhe për talent në Shqipëri “X Factor Albania”.
Bla Bla Bla- Grupi më origjinal i rock-ut, i cili gjatë vitit 2012 vazhdoi të performojë me shumë koncerte në Maqedoni dhe jashtë vendit. Blla Blla Blla vazhdon të jetë një nga grupet me tingull specifik shpesh me motive nga kultura jonë, por sërish modern dhe unik në muzikën që na dhurojnë.
Adelina Tahiri- Ka publikuar dy këngë të reja të përcjellura me videoklipe të suksesshme në vitin 2012. Kënga e parë quhet “Trilionere” dhe është në bashkëpunim me Fiton Jusa,kënga e dytë titullohet “Kujtim”, është në bashkëpunim me Elgit Dodën, kurse që të dy videoklipet janë prodhuar nga Tomato Production.

Selami Kolonja- Nominohet për angazhimin e tij profesional në edicionin e vitit 2012 të Këngëve të Shekullit në TV Klan, ose ‘100 vite muzikë’. I vetmi këngëtar shqiptar nga Maqedonia pjesëmarrës në këtë program të madh televiziv mbarëshqiptar. Po ashtu, gjatë vitit 2012 Selamiu ishte pjesë e festivalit të mbajtur në Kosovë “Festivali i Flamurit” ku me këngën “Te Vardari po të pres” fitoi çmimin e tretë të këtij festivali. Së bashku me këngëtarët Kastriot Tusha, Enkeleda Arifi, Nikollë Nikprelaj dhe Ilir Shaqiri, sollën “himnin e dytë” kombëtar me anë të këngës “Në një flamur të pa ndarë”, që ishte edhe një arritje tjetër e suksesshme për këtë këngëtar.
Arritja e vitit në botime shkencore dhe letërsi
Luljeta Isaku & Nebi Islami me veprën "Leksikon i arteve dramatike", vepër me vlera të veçanta që konsolidon fushën e arteve dramatike. Ky libër është më i kompletuari i këtij lloji, ai ngërthen edhe lëndë të trajtuar nga këndvështrimi teorik dhe aplikativ me interes të veçantë dhe sjellë njohuri më të plota në shërbim të kërkimeve të mëtejshme.
Skënder Hasani, Sefer Tahiri dhe Mehmet Prishtina- Nominohen për botimin e librit “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”- Ky libër zbardhi fakte të reja të dokumentuara shkencore që zbardhin veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës dhe është libër i shumëkërkuar nga lexuesit shqiptarë në Maqedoni.
Bardhyl Zaimi & Gëzim Sulejmani- Nominohen për librin e tyre të përbashkët, monografia “Flamurtari i shqiptarisë” mbi figurën e njërit nga protagonistët e brezit historik të Ballit Kombëtar, Hafëz Jusuf Azemit nga fshati Dobrosht i Tetovës. Ai për shkak të veprimtarisë së tij politike u detyrua që ta kalonte jetën në ekzil, gjegjësisht në SHBA, është njëri prej atyre që e gravoi në shpirt Dekalogun e Ballit Kombëtar dhe pati fatin të jetë pranë Mit’hat Frashërit, “njërit nga më të diturit e brezit të ri”, sikurse e quante Konica.
Resul Shabani- Ka botuar librin "Ëndërr e falur". Po ashtu, në vitin 2012 morri çmimet Dialog dhe çmimin e Pen Qendrës shqiptare në Tiranë.
Fatmir Sulejmani- “Lëkura e derrit” është libër i zhanrit eseistik, i shquar për thellësinë e mendimit, tonin polemik, botëshikimin e qartë mbi fenomenet sociokulturore dhe diskursin e veçantë. Po ashtu, ky autor dominohet edhe për përkthimin e veprës “Kryengritja e Dervish Carës” nga Aleksandër Matkovski. Libër i veçantë dhe referencial për një ngjarje të caktuar historike, i sjellë në gjuhën shqipe përmes një mjeshtërie përkthimore, duke i qëndruar besnik tekstit origjinal.
Salajdin Salihu- Poetika e prozës së Murat Isakut”, monografi. Studimi i parë gjithëpërfshirës mbi krijimtarinë prozaike të Murat Isakut, i formatuar me metodologji adekuate shkencore; një depërtim i thellë në shtresat kuptimore të opusit letrar të Murat Isakut; i sendertuar me një gjuhë të qartë dhe i bazuar në referenca të shumta.
Talenti i vitit
Kanita- Vogëlushja 12 vjeçare i pushtoi zemrat e publikut falë zërit të saj. Është nominuar në kategorinë “talenti i viti” pasi ajo vazhdon ta dëshmojë talentin e saj në garën e madhe të talenteve muzikor në kuadër të X Factor Albania. Është nominuar këtu edhe për faktin se ajo përfaqësuesja e vetme nga Maqedonia që ka hyrë në finale në këtë talent show me aq shumë konkurrentë.
Rilind Hoxha – Nominohet për talentin e tij në fotografi. Gjatë vitit 2012 hapi ekspozitën e tij të parë e cila mori vlerësime sidomos nga kritika, por punët e tij shënojnë sukses në arenën ndërkombëtare, disa prej të cilave edhe janë vlerësuar nga faqe të specializuara interneti, dhe janë shitur mbarë botës. Rilindi ka një stil të veçantë në fotografi, dhe çdo foto e sjellë nga ai vjen e kompletuar dhe unike.
Floriani- Florian Beqiri apo siç të gjithë e njohin Floriani është nominuar për shkak të suksesit të tij në festivalin Kënga Magjike. Në bashkëpunim më këngëtarin Adrian Gaxha ai këndoi “Ngjyra e kuqe” me të cilën këngë fitoi çmimin e internetit. Me muzikë ka filluar të merret që nga mosha 5 vjeçare, ai u bë i njohur në publik pasi këndoi një këngë popullore nga Dani, por suksesin më të madh e arriti pas bashkëpunimit më këngëtarin Gaxha.
Dukagjin Borova- Nominohet për talentin e tij animim. Filmi i tij stop-animation "Everything is money" u dekorua me çmimin "Best Animation" në Amerikë, San Diego, në International Mobil Film Festival, si dhe në festivalin aziatik SESIFF në Kore të Jugut.
Arritja e vitit në Artet Vizuale
Tabi Aziri -Dizajneri i grafikës më i talentuar shqiptar për vitin 2012, veprat e të cilit janë imazhe të aktivitete më prestigjioze në vend, ndër të cilat spikaten posteri i Festivalit të Jazz-it dhe filmit aq shumë të përfolur “Gjysëmloja e tretë”. Tabi po ashtu është shpërblyer edhe me çmimin e tretë në konkursin ndërkombëtar për poster në temën Ekologjia. Posteret e tij në tema shoqërore dhe politike kanë qenë të ekspozuar në festivale të ndryshme në Evropë dhe botë.
Omer Kaleshi- Piktori i njohur shqiptar është zë i fuqishëm për Ballkanin dhe krahasohet me Pabllo Pikason. Në vitin e kaluar ai shënoi dhe jubileun e tij, 50 vjet krijimtari dhe me këtë rast organizoi ekspozitën monografike me veprat e tij më të rëndësishme.
Reshat Ameti- Piktori shqiptar nga Maqedonia i cili gjatë vitit 2012 pati disa ekspozita si në Maqedoni ashtu edhe jashtë vendit. Pikturat e tij vlerësohen për origjinalitetin të cilat kanë motive nga tradita dhe kultura e shqiptarëve të Maqedonisë.
Miftar Memeti-Piktor i njohur me stilin e tij të veprave mozaik, ka rënë në sy për portretin e Nënë Terezës, por nominohet për veprën e tij në vitin 2012, ku me 100 portrete të heronjve dhe personaliteteve kombëtare formohej portreti i madh i Skënderbeut.
Nevzat Bejtuli- Kica Piktori i njohur shqiptar gjatë vitit 2012 hapi ekspozitën në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë por ishte prezent edhe me një peroformacë vizive gjatë aktivitetit ‘‘Shiko muzikë, dëgjo pikturë, fito libër’’, kur në sytë e mijëra qytetarëve krijoi një pikturë gjigante 30 – 70 metra. Puna e tij ka rënë në sy prej shumë vitesh, ndërkohë ka pasur ekspozita si në Maqedoni ashtu edhe jashtë saj.
Zeni Ballazhi- Autori i logos të 100 vjetorit të pavarësisë. Logoja e dizajnuar nga autori kërçovar u zgjodh nga Komisioni ndërministror në një konkurrencë të fortë mbarëshqiptare. Kjo logo ishte simboli më i përdorur në të gjithë trojet shqiptare gjatë vitit 2012.